Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today29/06/2023
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot për vërshimet që përfshinë ditë më parë qytetin e Pejës e ku pati edhe viktima. Kurti ka thënë se ato vërshime erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, ku për pak më shumë se një orë kanë rënë rreth 55 milimetra shi.
Kurti ka thënë se kjo sasi e shiut është plotësisht e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
“Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të paprecedentë dhe të drejtpërdrejtë për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave, zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të biodiversitetit”, ka thënë kreu i Qeverisë, shkruan Express.
“Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Në krahasim me nivelet e zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1.2 °C. Për çdo gradë ngrohje, atmosfera mund të mbajë rreth 7% më shumë lagështi. Kjo ndikon në sasinë e reshjeve, duke sjellë reshje të shumta në forma të shkurtra dhe të dendura që shkaktojnë përmbytje të shpejta. Një përmbytje e tipit 100-vjeçar apo e llojit që mund të përsëritet çdo 100 vjet, pra që e ka gjasën 1% në vit, mund të shkaktojë dëme të barasvlershme me 3% të bruto produktit vendor. Në mesatare, rreth 10 mijë persona preken nga përmbytjet në Kosovë. Në rast të rritjes së frekuencës dhe intensitetit të përmbytjeve si rezultat i ndryshimeve klimatike, një këso përmbytje e tipit 100-vjeçar në të ardhmen mund të shkaktojë dëme nga 300 deri në 700 milionë euro”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se duke parë një rrezik të tillë, infrastruktura është kyçe në përballje me një rrezik të tillë, derisa thotë se ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuon për të keq në rritjen e pasojave nga pëmbytjet e shpeshta.
Sipas Kurtit, rimëkëmbja nga vërshimet duhet të ketë synim edhe shmangien e përsëritjes së tyre përveç rikuperimit.
“Në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane, kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta.
Rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë e Qeveria është në fazën finale të hartimit të hartaqve të rrezikshmerisë nga përmbytjet, gjë që do të pasohet me planin e menaxhimit nga përmbytjet.
“Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e që do pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve gjatë projektimit të infrastrukturës. Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejtë në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1.3 miliardë euro në infrastrukturë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Vitin e kaluar, për herë të parë një delegacion i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike COP27. Hap ky i rëndësishëm i përfshirjes së Kosovës në diskutime për një çështje me interes global e me ndikim lokal”, ka thënë numri një i Qeverisë së Kosovës./Express/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)