Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today21/11/2024
Eva Longoria, aktorja dhe regjisorja e njohur nga seriali “Desperate Housewives”, ka zbuluar arsyen pse ajo dhe familja e saj vendosën të largohen nga Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë të fundit, Longoria tregoi se ajo, bashkëshorti i saj José Bastón dhe djali i tyre gjashtëvjeçar Santiago tashmë jetojnë mes Spanjës dhe Meksikës. Por ajo siguron adhuruesit e saj që ky vendim nuk ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në ShBA.
“Mund t’i tregoni të gjithëve, ju lutem, që nuk u largova nga ShBA për shkak të Trump-it?”, tha Longoria gjatë një podcasti. “Jam në Evropë prej pothuajse tre vitesh. Nuk u largova për shkak të situatës politike; puna më çoi atje”.
Aktorja shpjegoi se jeta jashtë Amerikës i ka dhënë mundësinë të largohet nga “cikli i pandërprerë i lajmeve 24-orëshe”. Ajo theksoi gjithashtu se spekulimet rreth vendimit të saj për t’u larguar nga ShBA për arsye politike “vetëm sa ndajnë njerëzit”.
Në një intervistë për Marie Claire, Longoria shtoi se industria në Hollywood kishte filluar të ndryshonte shumë përpara zgjedhjeve të vitit 2024, gjë që ndikoi në vendimin e saj për të lëvizur.
“Gjithë jetën time të rritur e kam kaluar në Kaliforni, por madje edhe para pandemisë ndjeja se gjërat po ndryshonin. Energjia ishte ndryshe. Pastaj erdhi Covid dhe gjithçka mori për keq. Pavarësisht nëse flasim për fenomenin e të pastrehëve apo për taksat – nuk dua të kritikoj Kaliforninë – por ndjej që ky kapitull i jetës sime tani ka përfunduar”.
Longoria pranoi se është e privilegjuar që ka mundësinë të zhvendoset në një vend tjetër, duke shtuar: “Unë mund të largohem dhe të shkoj diku tjetër. Shumica e amerikanëve nuk janë kaq fatlumë. Ata mbeten të ngujuar në këtë vend distopik. Kjo më mbush me ankth dhe trishtim për ta”.
Vitin e kaluar, Longoria luajti në mini-serinë dokumentare të CNN-it “Searching for Mexico”, dhe tani po përgatitet për një projekt të ri të quajtur “Searching for Spain”. Përveç kësaj, ajo ka qenë një nga figurat publike që mbështeti Kamala Harris gjatë fushatës së saj, duke marrë pjesë në tubime parazgjedhore.
Pas zgjedhjeve presidenciale, Longoria pranoi se nuk ishte e habitur nga fitorja e Trump-it. “Nuk është shokuese që ai fitoi”, tha ajo. “E tmerrshme është që një kriminel i dënuar, që përhap kaq shumë urrejtje, mund të mbajë postin më të lartë. Do të doja të mendoja se lufta jonë vazhdon. Nëse Trump i mban premtimet e tij, Amerika do të bëhet një vend i frikshëm”. /Telegrafi
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)