Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today29/06/2023
Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste dy formacionet ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë të Kosovës dy formacione ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë dhe serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Republikën e Kosovës. Për këtë e nisur nga fakti që kërcënimi juridik e kushtetues i rendit tonë është i pakompromis, e në veçanti duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Republikës tonë nga veprimet terroriste, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj policisë, EULEXIT e KFOR, sulmet ndaj qytetarëve, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për të marrë pjesë në protesta, barrikada e të tjera, kanosje dhe frikësim i qytetarëve në veri, subjekteve politike e kandidatëve, Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës”, tha Kurti ndër të tjera.
Sipas ligjeve të Kosovës, me shpalljen organizata terroriste, ndalohet menjëherë aktiviteti i Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut.
Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre parasheh pasoja të rënda ligjore.
Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.
Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.
Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.
Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.
Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.
Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.
Uniforma e emblema të organizatave që tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë gjetur javën e kaluar në Zveçan, ku policia e Kosovës konfiskoi armë e municion në një veturë me targa të Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se do t’i propozojë Qeverisë që këtë organizatë, por edhe “Mbrojtjen Civile” t’i shpallë terroriste.
Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes grupeve kriminale po tenton ta destabilizojë Kosovën.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)