Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Trafiku në kryeqytet është bllokuar. Kolona të gjata janë krijuar në rrugët kryesore të Prishtinës, raporton Express.
Kjo pasi Komuna e Prishtinës ka filluar sot testimin e tretë për shndërrimin e gjithë unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Në video dëgjohen edhe boritë e veturave.
Ndërkaq Komuna e Prishtinës iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka njoftuar para dy ditësh se testimi do të zhvillohet të premten, të shtunën dhe të dielën.
“Ju njoftojmë se, se nga dita e premte më datë 28 tetor deri të dielën më 30 tetor, vazhdon testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: Rruga ‘Agim Ramadani’ që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë, rruga ‘UÇK’ nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga ‘Migjeni’ deri te ndërtesa e ish-OSBE, rruga ‘Luan Haradinaj’ deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga ‘Ukshin Hoti’, dhe rruga ‘Robert Dolli’”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, qarkullimi për transportin publik në rrugët e mbyllura do të duhet të bëhet me shpejtësi minimale të lëvizjes.
“Rrugët e poshtë cekura do të jenë të mbyllura për automjete, me përjashtim të transportit publik, i cili do të qarkulloj në këtë pjesë me shpejtësi minimale të lëvizjes. Rruga ‘George Bush’ deri tek semaforët pranë Katedrales dhe rruga ‘Garibardi’ deri tek semaforët pranë rrugës ‘Dritan Hoxha’”, thuhet në njoftim.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)