Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar programin për vitin 2024 i cili sjellë një numër ekspozitash që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, në bashkëbisedim mes artistëve vendor dhe ndërkombëtar. Programit do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative për të përfshirë publik më të gjerë.
Viti do të fillojë me ekspozitën kolektive “Ngjarja e një Fijeje” e cila është bashkëpunim mes GKK dhe “Institutit Për Marrëdhëniet e Jashtme — IFA” nga Berlini, e bashkëkuruar nga Susanne Weiß, Inka Gressel, IFA, dhe Hana Halilaj, GKK. Ekspozita sjellë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë për të paraqitur narrativat globale të tekstilit. Ekspozita nxjerr në pah mënyrat e shumta dhe komplekse më të cilat artistët pjesëmarrës punojnë me tekstile. Veprat e përzgjedhura theksojnë si dimensionet ndërkulturore të materialeve edhe ndërthurjen e tyre me çështjet bashkëkohore. Duke prezantuar objekte, video, tapiseri, e instalacione nga artistët Noa Eshkol, Uli Fischer, Zille Homma Hamid, Heide Hinrichs, Olaf Holzapfel, Elisa van Joolen & Vincent Vulsma, Eva Meyer & Eran Schaerf, Judith Raum, Franz Erhard Walther, David Horvitz, Valbona Zherka, Barbara Prenka, Driton Selmani, Blerim Luzha, dhe Matej Rodiqi, ndër të tjerë, ekspozita shqyrton modelet dhe format e tekstilit të zhvilluar në kushte të veçanta ekonomike dhe strukturave sociale.
Një moment i rëndësishëm i këtij programi është ekspozita retrospektive e artistit Gjelosh Gjokaj, krijimtaria e të cilit prezantohet në GKK pas dy dekadash. Kjo ekspozitë do të sjellë opusin e gjerë të artistit duke filluar nga vitet 1960. I njohur si piktor dhe grafist, punët e artistit Gjokaj përshkohen nga ndikime të realizmit, lirizmit, figuracionit dhe abstraksionit. Kjo retrospektivë do të përfshijë një numër të madh veprash duke i sistemuar nëpër cikle e tematika të veçanta duke përfshirë simbolizmin sintetik, metafizika (robotët, kokat, torzotë), e deri te cikle të ndryshme të pikturave abstrakte. Duke zbuluar ndjeshmërinë bashkëkohore e univerzale të artisti, ekspozita do t’ia mundësojë publikut të rizbulojë rrugëtimin e tij artistik nga prespektiva të reja. Gjelosh Gjokaj, Kokat që gufojnë, 1983.
Gjithashtu, këtë vit do të rikthehet bienalja tradicionale e fotografisë Gjon Mili, e cila ka kontribuar në prezentimin dhe pasurimin e mediumit të fotografisë duke prezentuar artistë ndërkombëtar dhe vendor qysh nga viti 2002. Në edicionin e XVII, Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Gjon Mili do të kurohet nga Leonardo Bigazzi, Kurator në Fondazione In Between Art Film dhe Lo Schermo dell’Arte. Bazuar në konceptit kuratorial, me rastin e ekspozitës, galeria do të menaxhojë konkursin e hapur për çmimin e fotografisë për artistët lokal. Si pjesë të programit këtë vit do të shfaqet jeta dhe puna shumëvjeçare e artistit dhe arkitektit Agush Beqiri duke prezentuar objekte të riprodhuara e materiale arkivore. Duke e shtrirë veprimtarinë e vet pothuajse në të gjitha fushat e arteve të aplikuara, Agush Beqiri, arkitekt i objektit të sotshëm të Galerisë Kombëtare të Kosovës, është i njohur për partikën e tij me tapiseri, dizajn industrial. Beqiri ka realizuar një pjesë të sintezës së preferuar në jetën tonë bashkëkohore mes artit dhe industrisë, ndërhyrjeve të artistit dhe objekteve që janë në funksion te jetës së përditshme.
Po ashtu këtë vit, do të realizohen edhe ekspozitat personale të Jetmir Idrizi, Rron Qena dhe Dren Maliqi. Jetmir Idrizi me kuratore Camille Cousin, eksploron tematikat e gjinisë dhe identitetit duke u fokusuar në momente nga jeta, sfidat, përditshmëria, festat, intimiteti, nga komuniteti LGBTQIA+ në Brazil. Rron Qena përmes pikturave të tija do të vë në kontrapunkt qytetin me njerëzit që jetojnë në të. Dren Maliqi me kuratore Cathrine Nichols, do të luajë me idenë e kohës duke rishfaqur veprat e tij të mëhershme që qëllim kanë që të vënë në pyetje rikontekstualizmin e tyre në të tashmen. Krahas këtyre ekspozitave, rol të theksuar do të kenë projektet që kontribuojnë në fushën e edukimit përmes hulumtimeve, botimeve, diskutimeve dhe ligjëratave publike.
Hulumtimi “Arkiva e Trupit. Trupi si Arkivë” nga historianja e artit Anyla Kabashi synon të krijoj një arkivë dixhitale të performancave dhe krijimeve artistike vizuale të cilat e kanë trupin si subjekt dhe medium në kontaktin lokal. Hulumtuesja dhe kuratorja Donjetë Murati do të hulumtojë për publikimin e projektit “Vitet 2000: Një Studim Mbi Pasojat e Kamerës së Telefonit në Botën e Artit në Prishtinë”.
Fondacioni Shtatëmbëdhjetënëkuadër tëEducation+ do të organizojë hapësira sociale reflektuese, të cilat zhvillohen krahas nevojave të skenës sëpavarur dhe audiencës sëgjerë. Ky projekt është dëshmuar i suksesshëm vitin e kaluar, andaj edhe kësaj rradhe është mbështetur pjesërisht programi i tyre “Klasat e Majit”.
Programi i ekspozitave dhe hulumtimeve do të pasurohet me udhërrëfime, punëtori tematike, biseda me artistë dhe kuratorë si dhe bashkëpunime me grupin “Ndërmjetësimin Kulturor”, duke i plotësuar edhe më tej nevojat specifike të GKK.
Programi është përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i GKK-së i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Artrit Bytyçi, Somer Spat, Guri Çavdarbasha dhe Arlinda Hajrullahu / KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)